AlbanianSport.com 06.11.2014 22:40
ASNN – Myrto Uzuni është një ndër futbollistët më të rëndësishëm të formacionit beratas në këto javë të parë të kampionatit. Brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi u kthye nga Greqia, atje ku edhe hodhi hapat e parë të futbollit, lojtari i ri beratas ka bërë një hop cilësor duke kaluar nga skuadra e Nën-17-vjeçarëve në skuadrën e parë të Tomori. E sot është një titullar i pazëvendësueshëm i skuadrës së Memushit. Në një deklaratë për mediat sportive, Myrto Uzuni do të pohonte: “Kemi nisur një sezon të mirë pasi jemi një skuadër e mbushur me element të rinj”.
“Jemi të gjithë vendës dhe do të provojmë të japim më të mirën për Tomorin, – ka vijuar ai. – Mendoj se jemi brenda objektivave të klubit duke parë se jemi të vendosur në katet e sipërme të klasifikimit. Kishim dy sfida shtëpiake njëra pas tjetrës, atje ku objektivi ishim të dilnim me pikë të plota. Por në ndeshjen ndaj Dinamos nuk ia dolëm dot. Kemi zhvilluar një sfidë të gjithën në sulm, por në fund kemi kuptuar se kemi shpërdoruar shumë. Veçse kuptuam se Dinamo është një rivalët e këtij sezoni, edhe pse mendoj se fitorja duhet të ishte e jona.”
“Nëse do të kishim treguar qetësi përpara portës kundërshtare, atëherë ne do ta kishim fituar atë ndeshje. Tashmë presim në Berat Bylisin, ndërsa kërkoj të shënoj dhe t’i jap trepikëshin skuadrës. Dua t’i falënderoj ata tifozë që më kanë duartrokitur dhe këtë e shoh si një shtysë më tepër për të ecur përpara. Dhe për t’i kënaqur ato do të shënoj ndaj Bylisit”, – ka përfunduar lojtari i ri beratas, Myrto Uzuni.