AlbanianSport.com 15.11.2016 19:50
ASNN – Volejbollistja shqiptare e Universitetit të Dukës (Duke University) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përzgjedhur të hënën si “Lojtarja e Re Më e Mirë e Javës” (Freshman of the Week) në kampionatin ndëruniversitar të volejbollit. Ndërkohë, shoqja e saj e skuadrës, Xhordan Taker, është zgjedhur “Lojtarja Më e Mirë e Javës” (Player of the Week).
Të dyja lojtarët e ndihmuan skuadrën e Universitetit të tyre të korrin fitore ndaj “Virxhinia Tek”-ut dhe Pitsburgut, duke i udhëhequr “Djajtë blu” të regjistrojnë fitoren e 6-të radhazi dhe të 20-ën në këtë sezon, ku kanë pësuar vetëm 6 humbje. Pasuesja 19-vjeçare e Kombëtares kuqezi të vajzave, ka dhënë plot 68 pasime të sakta për pikë gjatë fundjavës, me një mesatare prej 11.33 pasimesh për set.
Këto shifra bënë që ajo të kryesojë në renditjen e kampionatit ndëruniversitar sa i përket pasimeve të sakta për pikë, ku tanimë ka një mesatare prej 11.05 pasimesh për set. Ajo kontribuoi edhe me 3 pikë direkt nga shërbimi, ndërsa bëri vetëm një gabim, duke e çuar në vetëm 24 numrin e gabimeve të bëra këtë sezon, që e bën atë lojtaren që ka gabuar më pak në skuadrën e saj.
Marina është e vetmja pasuese në kampionatin ndëruniversitar që ka një mesatare prej 11 pasimesh të sakta për pikë për çdo set dhe kjo e rendit atë të 24-ën në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë kategori. “Është mbresëlënëse paraqitja e saj këtë sezon”, – ka thënë një tjetër lojtare e Kombëtares shqiptare të volejbollit të femrave, 30-vjeçarja Arjola Prenga, e cila militon këtë sezon në kampionatin turk.
“Për një lojtare të vitit të parë që vjen dhe futet direkt në formacionin e Universitetit të saj, e për më tepër të një universiteti me traditë në volejboll, kjo do të thotë shumë, – ka vijuar Arjola duke folur për bashkëlojtaren e saj kuqezi. – E për më tepër, shifrat që ajo ka në lojën e saj janë me të vërtetë mbresëlënëse, që nxjerrin në pah potencialin e jashtëzakonshëm të Sindit.”