AlbanianSport.com 15.11.2016 15:20
ASNN – Një ofertë e parë që pritet të jetë prej 30 milionë eurosh, një shifër rekord kjo për një futbollist të kombëtares shqiptare të futbollit, e për më tepër, një emër i madh në horizont. Bëhet fjalë për mbrojtësin kuqezi, Elseid Hysaj, i cili mbetet në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdha të Evropës dhe, më së fundi, është trajneri i Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, ai që interesohet për futbollistin shkodran.
Ishte padyshim lojtari më i spikatur kuqezi në Evropian dhe më i qëndrueshmi në paraqitjet e tij, si me fanellën kuqezi, ashtu edhe me atë të Napolit, si në Serinë A, ashtu edhe në Kupat e Evropës. Dhe presidenti napolitat Aurelio De Laurentis duket se ka qenë shumë largpamës në momentin kur vendosi një klauzolë largimi në kontratën e re të Elseid Hysajt.
Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane dhe së fundmi, në listën e admiruesve është shtuar edhe Zhoze Murinjo, i cili duket se synon ta afrojë te Mançester Junajtid. Sipas të përditshmes italiane “Il Mattino”, klubi anglez ka filluar të interesohet seriozisht për lojtarin shqiptar pasi është në kërkim të një mbrojtësi të djathtë.
Zhoze Murinjo ka shprehur pëlqimin e tij për futbollistin dhe tashmë “Djajtë e kuq” po përgatisin një ofertë për në muajin janar. Mendohet se oferta e parë do të jetë prej 30 milionë eurosh, një shifër rekord për një futbollist të kombëtares shqiptare të futbollit, por që gjithsesi nuk do të mjaftojë për të kënaqur Napolin. De Laurentis ka vendosur një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh në kontratën e Hysajt.
Klauzolë kjo e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë dhe do të kërkojë respektimin e saj, që do të thotë se negociatat me Mançester Junajtid mund të fillojnë në janar, por vështirë se do të finalizohen para fundit të këtij sezoni. Presidenti i Napolit shpreson që të hapet një ankand i mirëfilltë për mbrojtësin e përfaqësueses kuqezi, për të cilin gjatë këtyre muajve është folur edhe për interes nga Arsenali, Çellsi dhe Bajerni i Mynihut.