AlbanianSport.com 15.11.2016 08:55
ASNN – Presidenti i FSHF-së ngre disa çështje gjatë diskutimit mbi Ligjin për Sportin, duke kërkuar edhe rritje të përfitimeve nga lotaritë sportive. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë i pranishëm në debatin e zhvilluar në Komisionin Parlamentar “Për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, në lidhje me ndryshimet në Ligjin për Sportin. “Nuk kemi qenë pjesë e konsultimeve apo rregullimeve që janë bërë në projektligj, thjesht e kemi lexuar”, – ka thënë ai.
“Kemi disa sugjerime esenciale për projektligjin, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. – Projekti parashikon të krijohet Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pranë Komitetit Olimpik Shqiptar, që do të gjykojë mosmarrëveshjet që ekzistojnë në sport. Ne, si anëtarë të FIFA-s, deri më sot të gjitha mosmarrëveshjet që kemi pasur i kemi zgjidhur nëpërmjet KAS të Lozanës. Kjo për arsye të eksperiencës shumë të madhe të asaj Gjykate.”
“Fakti që do të krijohet kjo Gjykatë e Arbitrazhit Sportiv pranë KOKSH, duhet të detajojë se çfarë duhet të gjykojë ajo: Konfliktet mes federatave dhe KOKSH, konfliktet mes Federatave apo vendimet të Komisioneve të brendshme të Federatave? – pyeti Duka. – Kjo është diskutuar më parë kjo gjë, madje në kohën kur Komitetit Olimpik nuk ishte i regjistruar në gjykatë dhe nuk kishte si zbatohej një gjë e tillë. Mendojmë se një Gjykatë e ndërtuar rishtazi më shumë do të krijojë probleme se sa do ta ndihmojë.”
“Projektligji parashikon për ushtruesit e dhunës në mjediset sportive se ata mund të dënohen nga inspektorët e Ministrisë së Arsimit. Nuk e di sesi mund të funksionojë dhe nuk besoj se kjo gjë e ndihmon procesin”, – ka përfunduar President i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.