Përshtatur nga TV Klan 14.11.2016 19:45
ASNN – Afrim Bilali është duke përgatitur ndeshjen e radhës në Superligën e basketbollit të meshkujve. Trajneri i ekipit të parë të Ardhmëria Basket duhet më parë të bëjë analizën e ndeshjes së shkuar. Që prej themelimit të klubit në 2006, nga vetë Bilali, në atë kohë ende aktiv në basketbollin e luajtur, ky është sezoni i parë që Ardhmëria basket merr pjesë në Superligë.
I krijuar fillimisht si një shkollë basketbolli për të rinjtë, ambiciet erdhën duke u rritur. Por, për Afrim Bilalin, kjo ishte një sfidë e re. Ish-kapiten i kombëtares për afro 10 vjet, dhe tashmë edhe zëvendëstrajner i përfaqësueses së basketbollit, Afrim Bilali, me basketbollistët e tij është më shumë kërkues se ndaj vetes kur ishte një ndër më të mirët në Shqipëri.
Klubi i Ardhmëria Basket ka 6 ekipe, duke filluar që nga mosha 8 vjec dhe është i vetmi ekip në Superligën e basketbollit me vetëfinancim. Çdo shpenzim për kampionatin mbulohet nga lojtarët dhe nga dashamirësit e klubit në bazë të kontributeve vullnetare. Kjo pasi misioni është që të promovojë dhe të ofrojë programe basketbolli të zhvillojë bashkëveprimin social dhe punën në grup.
Jo pa qëllim, duke luajtur pak edhe me fjalët, slogani i klubit është zgjedhur “BASHKBOLL ME ZEMËR.”