Gjergj Vyshka 14.11.2016 16:05
“Elite Sport” me trajner Arben Markaj dhe Tirana me trajnere Ariola Kasaj janë skuadra më të mira të Kupës së Ambasadorit të Koresë”. Bëhet fjalë, të paktën edhe sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Taekuondosë, Arben Makaj, për edicionin e 5-të të kësaj veprimtarie, që ka përkuar jo vetëm në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve me Korenë, por dhe në ardhjen e ambasadorit të ri të këtij shteti në Tiranë, Ahn Jungjip.
Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë 17 ekipe si Studenti, Tirana, Sun Rai, Elite Sport Akademi, Ortek, Oaz, Besëlidhja, Vllaznia, Korabi, Shqiponjat, Elbasani, Visela Martial Arts, Alpin, Gladiator, Dyrrah, Apolonia dhe Qendra Taekuondo. E, teksa është konkurruar në dy stile dyluftim dhe demonstrim, kanë marrë pjesë 120 sportistë. Për paraqitjen e mirë pas Elite Sport Akademi kanë ardhur Qendra Taekuondo me trajner Endrit Hoxha dhe në vendin e tretë Studenti me trajner Xhevahir Hysa.
Ndërkohë në disiplinën e dyluftimit pas Tirana janë renditur Vllaznia e trajnerit Elion Puka dhe Orteku i trajnerit Julian Caca e Sun Rai i Ismail Kryemadhit. Një figurë të mirë, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë sekretari Markaj, kanë bërë dhe Besëlidhja, Dyrrahu dhe Visela Martial Arts. Ambasadori Jungjip u shpreh me konsiderata për aktivitetin, ndërsa për sportistët më të mirë të aktivitetit dhuroi pesë aparate celular Smartfon.
Ndërkohë veprimtaria e radhës në Taekuondo “World” është më 27 nëntor 2016, ndërsa në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë për këtë sezon.