AlbanianSport.com 13.11.2016 21:40
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP, ka ulur siparin e një sezoni të jashtëzakonshëm me garën e fundit, atë të Valencias, që është fituar nga piloti vendas, Horhe Lorenco. Sikundër të gjitha emocionet e një sezoni historik, edhe emocionet e garës spanjolle janë përcjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Duke kurorëzuar atë që ishte në fakt një sezon i jashtëzakonshëm dhe historik, niveli më i lartë i Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP, ka ulur siparin me garën e fundit, atë të Valencias, që është fituar nga piloti vendas, Horhe Lorenco. Në fakt, ka qenë një garë e përsosur ajo që spanjolli bëri në pistën e shtëpisë, në atë që ishte gara e tij e 250-të në këtë sport.
Ai u nis i pari dhe, përtej asaj që ndodhi prapa shpatullave të tij, mbërriti i pari në finish, duke fituar edhe betejën me bashkëatdhetarin e tij, Mark Markezin. Një nga betejat më epike të kësaj gare ishte praktikisht gara për vendin e 3-të dhe të 4-t, ku dueli italian midis veteranit Rosi dhe të riut Janone u fitua nga ky i fundit, që e ngjiti kështu “Dukati”-n e tij në podium.
Maverik Vinjales me “Suzuki”, Pol Espargaro me “Jamaha”, Andrea Doviciozo me “Dukati”, Aleks Espargaro me “Suzuki”, Bredli Smith me “Jamaha” dhe Alvaro Bautista me “Aprilja” ishin ata që plotësuar 10-shën e të parëve në Valencia. Moto GP-ja e pati kurorëzuar që në mesin e tetorit në Japoni, 3 gara para fundit, kampionin e këtij sezoni, i cili është spanjolli Mark Markez.
Me fitoren e 5-të në këtë sezon, ai pati siguruar njëkohësisht titullin e 3-të “kampion” në këto 4 sezone të fundit të Moto GP.