AlbanianSport.com 12.11.2016 20:35
ASNN – Realiteti po rezulton i hidhur, përtej ëndrrës dhe dëshirës, pas Turqia ka arritur të sigurojë fitoren e parë në Grupin I të Eliminatoreve, duke mposhtur në ndeshjen e 4-t Kosovën me rezultatin 2-0. Takimi i zhvilluar në stadiumin e Antalias u vendos nga dy gola në pjesën e dytë, të shënuar nga Jëllmaz, në minutën e 51-të dhe Shen, në minutën e 55-të.
Kjo ishte humbja e 3-të në 4 ndeshje për Kosovën, e cila mbetet në vend të fundit të Grupit I me vetëm 1 pikë. Ndërkohë Turqia ngjitet në kuotën e 5 pikëve, duke mbajtur vendin e 4-t në renditje. Takimi tjetër i grupit i luajtur njëkohësisht, midis Kroacisë dhe Islandës ka përfunduar me fitoren 2-0 të ballkanasve falë dygolëshit të Brozoviçit. Me këtë fitore Kroacia mban kreun e grupit me 10 pikë.
Ndërsa Islanda qëndron provizorisht e dyta me 7. Kështu, Kosova ka pësuar një tjetër humbje në Eliminatoret e Botërorit Rusi 2016, duke u mundur këtë herë nga Turqia. Përfaqësuesja vendase, e drejtuar nga Fatih Terim vetëm brenda 5 minutash ka shuar ëndrrën e Kosovës për të marrë të paktën një pikë nga kjo ndeshje e vështirë në fushë të huaj, duke shënuar dy gola.
Kosova zhvilloi një pjesë të parë të mirë, duke u mbrojtur si duhur, ndërsa në minutën e vetme të shtesës në këtë pjesë pati një mundësi të artë për të shënuar. Rashica doli i lirë në të djathtë të sulmit dhe pasoi një top në zonë për Valon Berishën, por goditja e tij u ndal nga shtylla. Ndërkohë, vetëm 5 minuta i kanë mjaftuar Turqisë në pjesën e dytë për të ndëshkuar Ujkanin.
Ishte Burak Jëllmaz, i cili iu “vodh” Rrahmanit brenda në zonë dhe goditja e tij përfundoi në rrjetë. Vetëm 5 minuta më pas, turqit shënojnë sërish, këtë herë me Volkan Shenin. Pas 2 golave të realizuar nga vendasit, Kosova u zhvendos më përpara duke kërkuar golin që do të rihapte takimin.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta, lojtarët kosovarë nuk arritën të shënonin edhe në këtë ndeshje, duke pësuar humbjen e 3-të radhazi dhe pa shënuar gol. Pas kësaj humbje, Kosova mbetet në vendin e fundit në grupin I me vetëm një pikë. Takimi i radhës për ekipin e drejtuar nga trajneri Albert Bunjaku do të jetë më 24 mars të vitit të ardhshëm, ndaj Islandës.