AlbanianSport.com 09.11.2016 18:55
ASNN – Masat e pazakonta, e deri diku, të tepruara, të sigurisë që po shoqërojnë ekipin e Izraelit duket sikur po e çojnë në plan të dytë ndeshjen me Shqipërinë. Të dy përfaqësueset zhvilluan stërvitjen në Elbasan Arena, duke iu kushtuar taktikës dhe mënyrës se si do të kërkojnë fitoren të shtunën në mbrëmje.
Trajneri i Izraelit, Elisha Levi dhe kapiteni i skuadrës, Zahavi dolën në konferencën për shtyp para ndeshjes së ditës së nesërme në “Elbasan Arena” me kombëtaren kuqezi. Përtej sigurisë, Levi e ktheu vëmendjen te takimi. “E dimë formacionin e Shqipërisë për ndeshjen, megjithëse edhe mund të ndryshojnë titullarët”, – ka thënë ai.
“Do të përpiqemi të jemi gatshëm për gjithçka, – ka vijuar izraeliti. – Jemi në të njëjtën kuotë pikësh, por kjo nuk do të thotë që rezultati do të vendosë vendin e tretë në grup, pasi ka ende ndeshje për të luajtur. Ne do të japim maksimumin për të fituar, por do të pranonim edhe barazimin.”
Trajneri Levi tha se skuadra që ai drejton synon vendin e tretë në grup dhe për këtë sigurisht që Shqipëria është rivali i tyre direkt, por, duke folur në konferencën për shtyp, ai shtoi se kjo ndeshje nuk është vendimtare, duke theksuar “Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta aktualisht.”
“Janë shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fundin e eliminatoreve dhe takimi i ditës së nesërme nuk është vendimtar për synimet tona, – tha Levi. – Deri në fund janë shumë pikë në lojë.” Levi tha se ishte i gatshëm të firmoste për barazimin edhe pse shtoi se ekipi i tij në çdo ndeshje futet për të fituar.
“Firmos për barazimin nëse ma thotë De Biasi edhe pse ne hyjmë për të fituar në çdo ndeshje”, – përfundoi trajneri i Izraelit, Elisha Levi. Të dy trajnerët kanë theksuar se siguria është e duhura, por kanë shtuar se në fushë do të mendohet vetëm për të luajtur futboll.