Gjergj Vyshka 09.11.2016 15:15
“Do të realizojmë binjakëzime dhe shkëmbime eksperiencashtë cilat do të çojnë në një përmirësim të standardeve dhe rritje cilësore të sportit”, thotë Theodhor Masllavica, njëri nga kandidatët për president në zgjedhjet e së shtunës në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, ndërsa ka premtuar një pjesëmarrje të sportistëve dhe trajnerëve në marrjen e vendimeve të peshëngritjes.
“Çdo vendim do të jetë për më të mirën e mundshme për sportin dhe gjithashtu të gjithë do të jenë të ndërgjegjshëm që pas vendimeve të FSHP nuk ka afera korruptive”, – ka këmbëngulur ai. E ndërkohë Masllavica ka premtuar dhe një përmirësim të rregulloreve, si dhe ringritjen e ekipeve të moshave. E mbi të gjitha sigurinë për sportistët brenda dhe jashtë peshëngritjes.
“Marr përsipër të motivoj këtë sport duke i dhënë një mundësi zhvillimi të plotë dhe me të gjithë kushtet përkatëse, – ka theksuar biznesmeni shqiptar. – Në garat e vitit 2017 të organizoj veprimtari sportive me nivel të lartë dhe duke ju dhënë mundësinë sportistëve të jenë pjesë e një gare të vlerësuar, të mirëorganizuar dhe që vlerëson punën dhe mundin e tyre.”
“Jo vetëm kaq, por janë veprimtari që do të tërheqin sportdashës dhe gara që të mbushin shkallët e pallateve të sportit, – ka premtuar ai. – Të siguroj kujdes mjekësor sportiv duke dhënë trajtimin e nevojshëm që ka ky sport”. E duke e mbyllur, teksa ka premtuar ndërtimin e një Federate ku secili do të bëjë punën e tij, Masllavica ka thënë: “Kam besim të plotë se do të kem mbështetjen e anëtarëve të Federatës dhe komunitetit për t’i ndryshuar fytyrën Federatës dhe për të zbatuar një reformë që do të jetë më e rëndësishmja në vend”.