Gjergj Vyshka 09.11.2016 07:00
Theodhor Masllavica, njëri nga kandidatët për president në zgjedhjet e së shtunës në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, dje ka shpallur platformën e tij për rritjen e këtij sporti në periudhën katërvjeçare 2016-2020.
“Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të peshëngritjes në Shqipëri, gjendjen e sportistëve dhe trajnerëve, përfaqësimin e peshëngritjes në garat ndërkombëtare, dopingun dhe mosreagimin e FSHP-së, nevojat për zhvillim dhe talentin e pamohueshëm të sportistëve, me propozimin dhe mbështetjen e gjerë të komunitetit sportiv kam vendosur të kandidoj për President të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.”
Kështu do ta niste shpalljen e platformës së tij kandidati për president Theodhori Masllavica, që më tej do të vijonte: “Në punën e ardhshme 4 vjeçare së bashku do të ngremë nivelin e sportit të peshëngritjes në nivel evropian dhe do të reformojmë Federatën duke e kthyer këtë Federatë pronarit të vërtetë që është komuniteti sportiv.”