AlbanianSport.com 10.11.2016 17:40
ASNN – Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit i ka hequr 6 pikë nga renditja në Kategorinë Superiore ekipit vlonjat të Flamurtarit. Dënimi ka ardhur për shkak të borxheve që drejtuesit e klubit vlonjat kanë ndaj lojtarëve Arbri, Veliu dhe Sakaj, të cilëve nuk u janë dhënë pagat.
Tashmë Flamurtari ndodhet në kuotën e 12 pikëve, çka do të thotë se do të zbresë në 6 pikë, në vend të parafundit, 1 pikë më tepër se Korabi i Dibrës. Komisioni i Disiplinës i ka dhënë 12 ditë kohë klubit për të shlyer detyrimet, përndryshe Flamurtari do të zbresë nga Kategoria Superiore në atë Të Parën.
Kështu, me afatin e imponuar nga FSHF-ja për pagesën e borxheve të prapambetura, dënimi i Flamurtarit ishte vetëm një formalitet dhe më e keqja u zyrtarizua shpejt për ekipin e futbollit vlonjat. Skuadrës bregdetare i janë hequr 6 pikë nga renditja e Kategorisë Superiore. Por jo vetëm kaq.
Komisioni i Disiplinës, që kishte caktuar një muaj afat për likujdimin e borxheve ndaj futbollistëve, tani ka përballë një problem edhe më madhor, me zbritjen potenciale nga Kategoria Superiore. Organizmi disiplinor i FSHF-së i ka vendosur 12 ditë afat Flamurtarit, për të kryer pagesat që vërtiten te 150,000 Euro, përndryshe zbret një kategori më poshtë.
Vlonjatët kanë borxhe ndaj 3 lojtarëve: Polizoi Arbri, Franc Veliu dhe Artan Sakaj; si dhe ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka, i cili tashmë është në krye të stolit të Kukësit. Ekipi vlonjat është penalizuar dhe vitin e kaluar, me heqjen e 3 pikëve për shkak të borxheve ndaj kroatit Toni Pezo.