Nga Klodeta Gjini 10.11.2016 16:45
Kohët ndryshojnë dhe në të njëjtën kohë ndryshon edhe imazhi i Shqipërisë. Seminari i organizuar nga KOKSH-i për Menaxhimin Sportiv, i zhvilluar në Durrës më 5 dhe 6 nëntor 2016, me pjesëmarrjen e Komiteteve Olimpike të rajonit të Mesdheut si Libanit, Maltës, Shqipërise, Malit të Zi, Tunizisë, Qipros, Maqedonisë dhe San Marinos, konfirmoi edhe një herë dëshirën për t’u rritur. Ai tregoi dukshëm jo vetëm njohjen, por rritjen profesionale në organizimin e evenimenteve të tilla. Një veprimtari e kërkuar dhe koordinuar nga Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello.
Punimet filluan me përshëndetjen e Presidentit të KOKSH-it, Viron Bezhanit. Dhe më pas ka përshëndetur zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, si dhe drejtoresha e Shkollës së Sportit në Itali, Rozana Çiufeti. Ajo është njëkohësisht përfaqësuese e Komisionit të Zhvillimit dhe Kooperimit në Komitetin Olimpik të Mesdheut, ndërsa ishte e dërguar nga presidenti Amar Adadi. Është kursi i tretë për Menaxhimin Sportiv që organizohet nga Komiteti Olimpik i Mesdheut, ndërsa dy të parët janë zhvilluar në Itali.
Argumenti i parë i trajtuar në këtë seminar ishte “Mirëqeverisja e Organizatave Sportive”. Tema u trajtua nga Drejtori i Programit të Masterit Ekzekutiv në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Tierri Zintz. Në mënyrë interesante u trajtua marketingu sportiv nga eksperti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Damjan Pintar. Programi i seminarit ishte i ngjeshur, por shumë interesant. Ai solli për pjesëtaret e seminarit dhe një nga zhvillimet e fundit të KOKSH, pikërisht atë të krijimit të Komisionit të Etikës, që u prezantua nga Kryetari i këtij komisioni, Vojo Malo.
Krejt e re dhe mjaft tërheqëse ishte tema që u trajtua nga Stratos Karetos, Koordinatori i Komisionit Teknik në Komitetin Olimpik Mesdhetar për administrimin e mirë të skuadrave olimpike greke. Pjesëmarrësit e seminarit të tretë të Komitetit Olimpik Mesdhetar për Menaxhimin Sportiv u pritën nga nënkryetarja e Bashkisë së Durrësit, Zhylien Varfi. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak të Durrësit, pjesëmarrësit e seminarit u njohën me historinë e qytetit dhe në veçanti me programin, objektivat dhe punën që po zhvillon ky këshill në lidhje me sportin.
Vizitat në Amfiteatrin e qytetit dhe në Muzeun Arkeologjik pasuruan me elementë konkretë njohjen në lidhje me rëndësinë gjeopolitike të këtij qyteti në të shkuarën. Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, në përfundim të seminarit dorëzoi certifikatat për pjesëmarrësit, të cilët shprehën një vlerësim pozitiv për mënyrën e organizimit të kësaj veprimtarie.