AlbanianSport.com 06.11.2014 12:35
ASNN – Kreu i Federatës së Futbollitt të Kosovës (FFK-së), Fadil Vokrri, bashkë me Ministrin e Sportit, Memli Krasinqi, janë takuar të mërkurën me kreun e FIFA-s, Sep Blater. Në këtë takim është diskutuar rreth ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës dhe pranimit të FFK-së në FIFA e UEFA. Ky ishte takimi i parë që një zyrtar i lartë qeveritar i Kosovës zhvillon me kreun e organizmit me të lartë të futbollit në botë.
Ndërkaq, në artikullin e botuar në faqen e saj zyrtare në Internet, FIFA ka shkruar se në këtë takim u diskutua për miqësoret e përfaqësueses së Kosovës dhe progresin që po bën Federata Kosovare. Gjithashtu, Blater i rikujtoi FFK-së se për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, Federata Kosovare duhet që së pari të anëtarësohet në UEFA.
“Sa i përket çështjes së anëtarësimit, FFK-së iu rikujtuan proceset të cilat lidhen me statutet e FIFA-s dhe veçanërisht neni 10.2 i cili thotë se “anëtarësimi i lejohet vetëm nëse federata është anëtare e konfederatës”, çka nuk qëndron në rastin e FFK-së”, – shkruhet në njoftimin e botuar në faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin botëror, www.fifa.com.
Kjo nënkupton se, përtej pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Kosova ka ende rrugë për të bërë përsa i përket pranimit në UEFA dhe FIFA.