AlbanianSport.com 09.11.2016 14:20
ASNN – Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha e shikon si të mundur fitoren ndaj Izraelit. Në konferencën për shtyp të së mërkurës, ai ka thënë se skuadra kuqezi i ka të gjitha mundësitë të marrë 3 pikët në ndeshjen e së shtunës. Ndërsa Ledian Memushaj konkurrencën në mesfushë e quan një gjë pozitive pasi, trajneri Xhovan De Biazi ka mundësi të zgjedhë më të mirët për ndeshjen.
Kombëtarja shqiptare, ka zhvilluar sot stërvitjen e radhës në përgatitje për ndeshjen e radhës në kuadër të Eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”. Të shtunën përballë kuqezinjve të De Biazit do të jetë Izraeli, kundërshtari direkt i Shqipërisë për vendin e tretë në grupin G. Portieri i ekipit përfaqësues, Etrit Berisha thekson faktin se ndaj Izraelit do të kërkojnë vetëm fitoren.
I pyetur për faktin se trajneri De Biazi ka në dispozicion shumë mesfushorë, Ledian Memushaj përgjigjet se kjo është diçka e dobishme. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një deklarate për shtyp, publikuar në faqen e saj zyrtare ka njoftuar të gjithë sportdashësit se ndeshja Shqipëri-Izrael do të luhet të shtunën në 12 nëntor, në orën 20.45 dhe se nuk ka asnjë shkak që ajo të shtyhet.
FIFA vetëm ka vendosur që kjo sfidë të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe jo në “Loro Boriçi”, për arsye sigurie.