Ora 11:00 e ditës së sotme, në qytetin verior të Shkodrës, është rezervuar për një veprimtari sa mbresëlënëse, po aq edhe mjaft të rëndësishme. Kjo për sa i përket historisë dhe traditave futbollistike që disponon ky qytet në vite. Nuk bëhet fjalë për Vllazninë, por për Klubin e Futbollit “Shkodra”, klubin privat të krijuar 20 vite më parë përmes nismës së specialistit të mirënjohur të futbollit, Taip Piraniqi. I mbështetur nga një grup veteranësh të futbollit shkodran, sportdashës, biznesmen dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, Piraniqi, së bashku me kolegët e tij, arriti që vit pas viti t’i shërbente futbollit shkodran.
Ai, krahas ekipit të rritur, që hera herës ishte pranë kalimit në kategoritë e larta, vlerat më të mëdha i ka pasur dhe vazhdon t’i kenë në përgatitjen e elementit të ri me perspektivë. Mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre si Elseid Hysaj, Armando Vajushi, Antonio Marku, Arsid Kruja, Erlind Selimaj, Sindri Guri, Ambros Kapaklia, Ari Djepaxhia, Ervin Rexha, Rubin Hebaj, dhe shumë e shumë të tjerë, që kanë dalë nga duart e Taip Piraniqit dhe stafit të tij në ekipet zinxhir të këtij klubi. Në këtë përvjetor të 20-të, të planifikuar për t’u organizuar në sallën e spektakleve të televizionit “Art Cendet Blue Sky”, pritet të jenë të pranishëm autoritete të shumta të futbollit shkodran.
Po kështu edhe drejtues të FSHF-së, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, qeverisjes vendore, etj. Nga sa bëhet e ditur, në programin e veprimtarisë, fillimisht do të jetë hapja e një ekspozite fotografike me arritjet e këtij klubi në vite. Më pas shfaqja e një dokumentari sportive “20 vjet histori suksesi”, për të vijuar me mbresa dhe kujtime, dekorimin e atyre që kanë kontribuar në vite dhe për t’u mbyllur me pas me një drekë festive për të gjithët të ftuarit.