Gjergj Vyshka 05.11.2016 19:50
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, Agim Çiraku, i cili ka marrë mandatin e dytë si president i Federatës Shqiptare të Notit, ka falënderuar votuesit. “Së pari, – tha Çiraku, – nuk më vjen mirë që asambleja nisi me rrëmujë. Kam premtuar se do të jem i drejtë me të gjithë trajnerët, sigurisht që ka pasur dhe një diferencim për ata që janë më të mirët, por gjithçka në baraspeshë.”
“Katër vjetët që ikën besoj se kanë qenë të mira për notin shqiptar, – ka vijuar ai. – Është pasqyruar gjithçka në gazetën time “Telegraf” dhe tani ne kemi dhe një faqe interneti të notit. Më duhet të falënderoj Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për bursën olimpike. Për herë të parë kemi zhvilluar një kamping të mirë të 17 notarëve në Itali, ndërsa kjo do të vazhdojë dhe më tej me konkurrimin e notarëve në Kampionatin Kombëtar.”
“Kemi sjellë një trajner të huaj për të rritur cilësinë e trajnerëve tanë. Kemi një anëtar në Komisionin Teknik të Federatës Evropiane dhe shtimi i masivitetit dhe thyerjet në masë të rekordeve janë një tregues i mirë. Kështu shpresojmë të vazhdojmë dhe në këto katër vjet”, – ka përfunduar Çiraku në përfundim të garës zgjedhore për president, ku ai u rikonfirmua në mënyrë kontradiktore.