AlbanianSport.com 04.11.2016 18:50
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj është rikthyer në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar me ndeshjen më të spikatur të javës së 6-të, atë midis Partizanit dhe Studentit.
Kjo sfidë merrte një vlerë të shtuar edhe për faktin se trajneri Ylli Tomori, i cili e udhëhoqi për mbi 15 vjet Studentin drejt sukseseve historike, tanimë ka ringjallur Partizanin e volejbollit të meshkujve.
Madje, duke marrë me vete edhe pjesën dërrmuese të lojtarëve që kishte tek ish-skuadra e tij, ai i ka shndërruar menjëherë të kuqtë në pretendentë për trofe, sikundër ka dëshmuar edhe ky fillim sezoni.
Ndërkohë, Studenti, i drejtuar tanimë nga trajneri Ben Sako dhe me një grup të ri lojtarësh, ka treguar se ende ka shumë për të bërë për të qenë pretendente. Partizani e ka fituar në 3 sete sfidën e sotme, duke triumfuar me shifrat bindëse, përkatësisht 25-13, 25-17 dhe 25-20, dhe duke marrë fitoren e 5-të në po aq ndeshje.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ylli Tomori kryeson me pikë të plota, 15, duke qenë e shkëputur 3 pikë nga ndjekësja më e afërt, Farka Voleji, dhe 4 pikë nga kampionia në fuqi, Studenti.