Gjergj Vyshka 04.11.2016 07:55
Rrjeti i RTSH-së, që e ka Sportin si një nga kanalet e platformës dixhitale të Radio-Televizionit Shqiptar, do të jetë për basketbollin e kampionatin e tij. Sepse, sipas njoftimit që ka bërë drejtori i departamentit të sportit në TVSH, Pano Xhixho, sonte në mbrëmje do të transmetohet ndeshja e javës së katërt të Superligës shqiptare për meshkuj, Tirana- Ardhmëria Basket.
Një ndeshje që do të vijë pas kryesfidës së javës së gjashtë të volejbollit shqiptar, Studenti-Partizani, që do të zhvillohet në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në ora 17:00 e që do të jetë nën komentin e veteranit të mirënjohur të TVSH-së, Vladimir Grillo. Sikurse do të ndodhë më pas dhe me basketbollin, që do të komentohet nga Henri Moja.
Sigurisht një gjë e rëndësishme jo vetëm për kampionatin e volejbollit dhe të basketbollit, por për të gjithë shumësportëshin shqiptar, sepse kështu, krahas futbollit me të gjitha veprimtaritë e saj kombëtare e ndërkombëtare, gjen pasqyrim edhe në ekranin e RTSH-së. Një gjë e munguar, por shumë e rëndësishme për ato që luajnë volejboll e basketboll, pasi në vazhdim gara e tyre do të jetë gjerësisht në ekranin e transmetuesit publik shqiptar.