Gjergj Vyshka 02.11.2016 08:50
Kuqezinjtë e meshkujve, të drejtuar nga qiprioti Antonis Kostantinides, do të marrin pjesë në Eliminatoret e Botërorit 2019, që nisin në gusht të vitit të ardhshëm. Shorti hidhet në Pragë më 10 dhjetor. Kështu, Shqipëria e basketbollit jep “viston” për pjesëmarrjen në Eliminatoret e Kampionatit Botëror të Basketbollit për Meshkuj për vitin 2019.
Konfirmimi i fundit për pjesëmarrje në këto Eliminatore ka qenë 18 nëntori 2016, por Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë këtë që të hënën. Eliminatoret e këtij Botërori do të zhvillohen në periudhën gusht-shtator të vitit të ardhshëm, pavarësisht se ishte parashikuar për në nëntor. E sipas informacionit që vjen nga Federata Shqiptare e Basketbollit, shorti për Eliminatoret e Botërorit do të hidhet më 10 dhjetor 2016 në Pragë.
E ndërkohë një konfirmim i tillë është përshëndetur dhe nga anëtari i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Ilir Taflaj, i cili, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka shkruar: “Federata Shqiptare e Basketbollit regjistron skuadrën e saj përfaqësuese në Divizionin A të Eliminatoreve të Botërorit 2019 të Basketbollit.”
Një tjetër sfidë për trajnerin Antonis Konstadinides, ndihmësin Afrim Bilali dhe djemtë e përfaqësueses kuqezi. Bashkë me përfaqësuesen e femrave dhe ekipet e Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve, djem dhe vajza, Shqipëria plotëson të gjitha nivelet e mundshme të përfaqësimit, – ka vijuar ai. – Punë e paqme! Modestisht, duke falënderuar të gjithë aktorët që bëjnë të mundur realizimin e një pjesëmarrjeje të përmasave të tilla, nuk më mbetet tjetër vetëm t’i uroj suksese basketbollit shqiptar në këtë sfidë të re”.