Gjergj Vyshka 02.11.2016 07:55
Zhvillimi i Asambleve Zgjedhore të Federatave Sportive jashtë Tiranës tashmë është bërë jo vetëm modë, por më shumë se sa epidemi. Pas basketbollit në mars në Korçë, atletikës në shtator në Elbasan, peshëngritjes në nëntor në Vlorë, tashmë është një tjetër Federatë që ka vendosur ta bëjë asamblenë e saj jashtë Tirane. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule, Komiteti Drejtues në mbledhjen e djeshme, ka vendosur që Asambleja Zgjedhore të zhvillohet më 16 dhjetor 2016 në Pukë, në Hanin e Përparim Laçit.
Klubet me të drejtë vote, gjithnjë sipas vendimit të kryesisë, do të jenë Shoqata Bjeshkëtarëve Alpinistëve Tirana, Shoqata Dajti-Alpino Turistik, Shoqata Alpinistike Partizani, Shoqata Alpinistike Vlora, Shoqata Alpinistike Sportive Turistike Elbasani, Shoqata Alpinistike Tirana, Shoqata Alpet Shqiptare, Shoqata Rrëshqitja Natyra, Shoqata Tërbuni, Shoqata Alpinistike Korabi, Tomori dhe Valbona. Ndërkohë kryesia e Federatës Shqiptare së Alpinizmit ka vendosur që në këtë asamble do të jenë pa të drejtë vote Skënderbeu dhe Kukësi.
Kjo, sepse nuk kanë marrë pjesë në këto vitet e fundit në veprimtaritë e Federatës dhe nuk kanë derdhur licencimet e tyre për katër vitet e para dhe dy vitet e fundit. Në bazë të statutit të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, gjithnjë sipas vendimit të kryesisë, është përjashtuar Dinamo dhe, në Asamble, çdo organizëm, anëtar i Federatës, do të ketë një votues. Sakaq është dhënë dhe një informacion për anëtarësimet e reja në Federatën Botërore, si dhe është lënë detyre për shtimin me klubet e reja në Shkodër e Gjirokastër.
Duke qenë se në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” ngjitja në Murin Alpin, quajtur ndryshe “kacavjerrje”, do të jetë disiplinë olimpike atëherë objektivat e Federatës Shqiptare të Alpinizmit do të jenë shumë më të mëdha. E Federata Shqiptare e Alpinizmit do të dërgojë zyrtarisht shkresat me klubet, të cilat do të sjellin propozimet e tyre për anëtarë të Komitetit Drejtues dhe President, që do të zgjidhen më 16 dhjetor 2016 në qytetin e Pukës.