AlbanianSport.com 01.11.2016 14:25
ASNN – Shtërmeni i peshëngritjes, edhe pse tashmë veprimtaritë kombëtare të vitit 2016 kanë përfunduar, është duke u përgatitur me dy seanca stërvitore në ditë nën drejtimin e trajnerit Leonard Toska.
“Jemi duke u stërvitur fort për Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve, që është në pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa Shtërmeni do të përfaqësohet me 10 sportistë në të gjitha peshat konkurruese”, – ka thënë Toska.
“Ekipi është në gjendje mjaft të mirë dhe gati që tani për t’u shpallur kampion i Shqipërisë në peshëngritje, – ka vijuar ai. – Mbështetja e Bashkisë së Cërrikut dhe kryetarit të saj Altin Toska, që gjej rastin ta falënderoj, nuk më ka munguar asnjëherë.”
“Madje ka qenë e fuqishme, – ka theksuar trajneri veteran. – Po kështu falënderoj shumë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për përkrahjen që na ka dhënë. Kurse Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka harruar ekipin e Shtërmenit dhe nuk na ka ndihmuar fare. Ndaj unë kërkoj rifreskimin e saj që nga kreu.”