AlbanianSport.com 01.11.2016 07:55
ASNN – Ka qenë një pjesëmarrje për t’u harruar ajo që Shqipëria ka bërë në grupin e saj të Eliminatoreve të Evropianit të Nën-17-vjeçarëve, që i zhvilloi ndeshjet në Itali, duke i humbur të 3 takimet.
Kuqezinjtë e vegjël, të drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç, kanë arritur të shënojnë vetëm një gol dhe kanë pësuar 5 në këto 3 ndeshje, duke e mbyllur kështu në vendin e fundit të renditjes së grupit, pa pikë.
Kombëtarja kuqezi e Nën-17-vjeçarëve e ka mbyllur me 3 humbje në po aq ndeshje aventurën e saj në grupin e Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe, që i zhvilloi ndeshjet në Itali, pasi është mundur të dielën edhe Maqedonia, me rezultatin 2-1.
Kjo ishte edhe ndeshja e fundit në grup për kuqezinjtë e vegjël, të drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç, të cilët kanë arritur të shënojnë vetëm një gol dhe kanë pësuar 5 gola në këto 3 ndeshje, duke e mbyllur kështu në vendin e fundit të renditjes së grupit, pa pikë.
Në takimin e parë të zhvilluar në Itali, Nën-17-vjeçarët kuqezi janë mundur nga përfaqësuesja vendase, me rezultatin 0-1. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Por. në pjesën e dytë, italianët do ta gjejnë golin e epërsisë, kur në minutën e 62-të, me anë të sulmuesit të Interit, Merola. Prova e radhës për kuqezinjtë Nën-17-vjeçarë ka qenë sfida e së premtes me Serbinë, ku janë mundur me rezultatin 0-2.
Në përfundim, skuadra që siguroi biletën për në fazën tjetër të Evropianit të kësaj grupmoshe është Italia, e cila fitoi duelin e fundit me Serbinë, me shifrat 2-0 dhe mori vendin e parë të renditjes, me 7 pikë, një më tepër se ballkanasit.