AlbanianSport.com 30.10.2016 22:25
ASNN – Përtej episodeve që çuan në ndërprerjen për afro 15 minuta, takimi midis Skënderbeut kryesues dhe Partizanit të vendit të dytë, e përligji epitetin e duelit të kreut, ndonëse u mbyll pa gola. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për Partizanin, por e dyta është kushtëzuar nga dalja me karton të kuq, fillimisht e Kalarit për kryeqytetasit, e më pas e Vangjelit për korçarët.
Emocionet e kësaj përballjeje u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Partizani dhe Skënderbeu janë ndarë me rrjeta të paprekura, në takimin midis tyre, të vlefshëm për javën e 9-të të Kategorisë Superiore, duke bërë që të ruhet “status-quo”-ja në krye të renditjes. Në fakt, ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”, e ka përligjur cilësimin e saj si dueli i kreut, ndonëse nuk prodhoi gola.
Pjesa e parë ka qenë e barazpeshuar në gjysmëorën e parë të saj, me të dyja skuadrat që krijojnë dhe shkojnë dëm nga dy raste për shënim. Por, me kalimin e minutave, është Partizani që merr iniciativën, duke rrezikuar gjithnjë e më tepër portën e mbrojtur nga gardiani durrsak i korçarëve, Orges Shehi. Madje, ky i fundit ka qenë mjaft vendimtar në moslejimin e prekjes së rrjetës së portës, me disa pritje të guximshme.
Kështu, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta është kushtëzuar nga dalja me karton të kuq, fillimisht e Kalarit për kryeqytetasit, e më pas, e Vangjelit për korçarët. Ndërprerja, në minutën e 82-të, për shkak të episodeve të përplasjeve të tifozëve me policinë në shkallët e stadiumit ka çuar në uljen e ritmit të lojës në 10 minutat e mbetura.
Ndonëse Partizani ka patur një shans të mirë në fund për të marrë fitoren. Mbyllet kështu 0-0 kjo sfidë, ashtu sikundër është mbyllur pa gola edhe dueli midis Tiranës dhe Vllaznisë, ndërsa Teuta ka mundur Laçin 3-1, ndërsa Flamurtari ka shpartalluar Korabin me rezultatin 4-1.