Gjergj Vyshka 30.10.2016 18:25
Tirana është kampione e dyfishtë në mundje, ndërsa në Kampionatin Kombëtar të Të Rinjve, që është zhvilluar dje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ka dalë fituese me 36 pikë, në stilin klasik, dhe me 32 pikë, në atë të lirë. Në këtë kampionat, që në fakt ka mbaruar në një hark kohor prej tre orësh, kanë marrë 10 ekipe, e më konkretisht Tirana, Besëlidhja, Kukësi, Burreli, Flamurtari, Vlora Vrestling, Olimpik G, Teuta, Vllaznia, Korabi e Tërbuni.
Kampionët e stilit klasik ishin përkatësisht Bajram Sina (Tirana, pesha 50 kg), Tedi Llanaj (Flamurtari, pesha 55 kg), Leonardo Frrokaj (Tirana, pesha 60 kg), Kevin Kupi (Tirana, pesha 66 kg), Ernest Muça (Besëlidhja, pesha 74 kg), Boris Frrokaj (Tirana, pesha 84 kg) dhe Qemal Lluka (Tirana, pesha 120 kg). Në këtë stil sportisti më i mirë u shpall Kevin Kupi.
Në stilin e lirë kampionët e të rinjve ishin: Oltjan Bardhi (Tirana, pesha 50 kg), Emanuel Çekrezi (Tirana, pesha 55 kg), Elmaz Kryeziu (Tirana, pesha 60 kg), Eriglend Prizreni (Tirana, pesha 66 kg), Orges Lila (Tirana, pesha 74 kg), Hans Mara (Teuta, pesha 84 kg), Kristian Fila (Vllaznia, pesha 96 kg) dhe Paris Karepi (Teuta, pesha 120 kg). E sportisti më i mirë në këtë stil u shpall Eriglen Prizreni.
Federata Shqiptare e Mundjes ka nderuar në ceremoninë e hapjes me titullin “Nderi i mundjes shqiptare” Agim Deva, Skënder Naxhaku dhe Selami Kalaja. Tashmë është radha e të rriturve në nëntor.