AlbanianSport.com 30.10.2016 16:25
ASNN – Kamza vazhdon të ruajë bilancin prej 100 % të fitoreve në këtë sezon të ri të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pasi ka mposhtur në shtëpi edhe Kastriotin me një gol të vetëm. Fati i ndeshjes së zhvilluar në Kamëz dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar është vendosur nga një gol i shënuar për vendasit në pjesën e parë nga Morina.
Sikundër ka ndodhur në këto dy muaj të para të sezonit sportiv, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po sjell për sportdashësit edhe një tjetër fundjavë të mbushur me transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve të nivelit të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë. Kështu, të shtunën, transmetuesi publik ka sjellë duelin e vlefshëm për grupin B të nivelit të dytë të futbollit shqiptar, që njihet si Kategoria e Parë, atë midis Dinamos dhe Apolonisë, që u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ndërsa të dielën pasdreke ka ardhur drejtpërdrejt një tjetër takim i Kategorisë së Parë, këtë radhë i vlefshëm për grupin A, midis Kamzës dhe Kastriotit. Dhe Kamza vazhdon të ruajë bilancin prej 100 % të fitoreve në këtë sezon të ri të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pasi ka mposhtur në shtëpi edhe Kastriotin me një gol të vetëm.
Fati i ndeshjes së zhvilluar në Kamëz është vendosur nga një gol i shënuar për vendasit në pjesën e parë nga Morina. Ky i fundit ka përfituar nga një goditje e lirë, e cila nuk është kontrolluar siç duhet nga portieri krutan dhe e ka përcjellë topin në rrjetë. Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë dhe Kamza merr fitoren e 6-të në po aq javë të këtij sezoni.
Kamza ruan kështu kreun e renditjes së grupit A, me 18 pikë, duke qenë në rrugë të mbarë për kthimin në Kategorinë Superiore. Ndërkohë, të hënën pasdreke do të vijë për sportdashësit një tjetër duel i vlefshëm për grupin B të Kategorisë së Parë, ai midis Lushnjës dhe Bylisit, kurse të mërkurën do të transmetohet edhe një tjetër përballje interesante, derbi midis Elbasanit dhe Sopotit.