AlbanianSport.com 27.10.2016 09:45
ASNN – Një gol i vetëm i pësuar në pjesën e dytë, ka bërë që Shqipëria ta nisë me një humbje grupin e Eliminatoreve të Evropianit të Nën-17-vjeçarëve, pasi është mundur në Itali nga përfaqësuesja vendase. Prova e radhës për kuqezinjtë Nën-17-vjeçarë është sfida e së premtes me Serbinë.
Kombëtarja kuqezi e Nën-17-vjeçarëve e ka nisur me një humbje aventurën e saj në grupin e Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe, pasi është mundur në Itali nga përfaqësuesja vendase, me rezultatin 0-1. Kuqezinjtë e vegjël, të drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç kanë bërë një lojë kryesisht në mbrojtje përballë Italisë, që ka qenë me superiore, si në raste, ashtu edhe në lojë.
Për rrjedhojë, herë për meritë të portierit kuqezi e herë për gabimet e Nën-17-vjeçarëve italianë, pjesa e parë e kësaj ndeshjeje është mbyllur me rrjeta të paprekura. Por. në pjesën e dytë, italianët do ta gjejnë golin e epërsisë, kur në minutën e 62-të, sulmuesi i Interit, Merola, përfiton nga pasimi i saktë i Viskontit dhe e përcjell topin në rrjetë.
Shqipëria do ta ketë mundësinë për të barazuar drejt fundit, por Kraja vonohet në goditjen e tij në një situatë të volitshme brenda zonës. Përfundimisht 1-0 për Italinë dhe prova e radhës për kuqezinjtë Nën-17-vjeçarë është sfida e së premtes me Serbinë. Skuadra tjetër e grupit është Maqedonia.