Gjergj Vyshka 26.10.2016 17:05
Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit, të paktën edhe sipas zyrës së shtypit të Parlamentit, ka pasur në rendin e ditës të mbledhjes së djeshme diskutimin në parim të projektligjit për “disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9376, datë 21 prill 2005 për Sportin të ndryshuar” me propozim të Këshillit të Ministrave.
Për të mbrojtur ndryshimet e kryera, në komision ka qenë i pranishëm zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj. E vërteta është se ligji me të gjitha ndryshimet që janë bërë, që për ironi të fatit nuk janë në favor të sportistëve dhe të sportit në përgjithëshi, janë kundërshtuar.
Së pari presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, dhe së dyti Drejtori i Institutit të Kërkimit Shkencor, Prof. Dr Artan Shytaj, kanë ardhur me mendimet e tyre ndryshe në “Sport Ekspres” për këtë ligj sporti të ndryshuar, që, më shumti, duket i arnuar.
Mirëpo dhe pse ka ndodhur, as në faqen e internetit të Parlamentit e as në asnjë prej edicioneve informative, kjo mbledhje e Komisionit të Edukimit dhe të Mjeteve të Informimit për diskutimin në parim të ndryshimeve në Ligjin e Sportit nuk është pasqyruar.
Që do të thotë se vijon të jetë një gjë e rëndomtë e që duhet bërë, ndonëse është fjala për sport kombëtar…