Gjergj Vyshka 25.10.2016 09:45
Përjashtohet Sadrid Danaj nga kandidat për president, proteston “Tirana Delfina Sport”. Në garën për zgjedhjet e 4 nëntorit përballë presidentit aktual të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, do të jetë Aleksandër Peçi. Gara për zgjedhjet e ardhshme të Federatës Shqiptare të Notit, të cilat do të mbahen më 4 nëntor 2016, duket se janë ashpërsuar ende pa nisur. Është përjashtuar kandidati për president Sadrid Danaj e për këtë arsye “Tirana Delfina Sport”, presidentit të saj Shpëtim Hoxha, ka protestuar.
Nëpërmjet dy “e-mail”-eve drejtuar sekretares së përgjithshme të Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, Hoxha ka bërë të ditur se tashmë do t’i drejtohet organeve gjyqësore për të vënë drejtësinë në vend. Në “e-mail”-in e parë, të orës 15:29 të ditës së djeshme, Hoxha ka shkruar: “Sapo u njoftuam për rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme. Ju lutemi, duke parë që kandidati për president, Sadrid Danaj, është përjashtuar na jepni vendimin e komisionit të zgjedhjeve dhe arsyet pasi do të ndjekim rrugën ligjore. Faleminderit, paraprakisht, Shpëtim Hoxha”.
Në “e-mail”-in e dytë, vetëm rreth dy orë më pas, më saktë, në ora 17:05, Hoxha ka shtuar dozat e presionit duke shkruar: “Përshëndetje! Njoftimi i ditës së sotme për Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, 4 nëntor 2016, nuk përmban listën e anëtarëve të Federatës Shqiptare të Notit me të drejtë vote. Po ashtu nuk përmban dhe listën emërore të delegatëve me të drejtë vote. Kjo është shkelje e statutit dhe ne do t’u drejtohemi organeve gjyqësore, ndonëse jemi në pritje të dokumenteve”.