AlbanianSport.com 24.10.2016 13:25
ASNN – Ljuis Hemilton, piloti i “Mercedes”-it, e ka rihapur Kampionatin Botëror të “Formula 1”. Sepse pas fitores së mbrëmshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa kanë mbetur dhe 3 gara në Meksikë, Brazil dhe Abu Dabi, diferenca me Rosbergun është ngushtuar në 26 pikë.
Fitorja e mbrëmshme e Hemiltonit, ndërsa Rosbergu ishte i dyti, ishte një tjetër triumf i dyfishtë i “Mercedes”-it, që tashmë si kompani makinash është kampione e botës për 2016-ën. Në pistën e Ostinit në Teksas, në vendin e tretë është renditur Daniel Riçiardo i “Red Bull”-it.
Ai ka qenë kështu përpara Sebastian Fetelit të “Ferrari”-t. Tashmë “Formula 1” ka hyrë në një garë interesante, atje ku titulli kampion bote si individ duket se do të mbesë peng deri në Abu Dabi. Për t’u evidentuar është fakti se Ljuis Hemilton është “kampion bote” në fuqi dhe synon ta mbrojë titullin.