AlbanianSport.com 24.10.2016 12:30
ASNN – Nuk ka pasur pushim për skuadrën vlonjate gjatë ditës së diel. E dje paradite skuadra ka zbritur në fushë për të kryer një seancë stërvitore. Pavarësisht se kishin luajtur një ditë më përpara, kjo seancë stërvitore ka qenë me ngarkesë për ata që nuk kanë luajtur asnjë minutë përballë kurbinasve, kurse të tjerët kanë bërë përgatitje të lehtë.
Stërvitja e ditës së diel ka dhënë sinjale pozitive për shumë nga lojtarët që kanë qenë të dëmtuar. E në përballjen me Korabin në Vlorë priten kthime të rëndësishme në formacion të tilla si Bushiç, Rniç, Lukiç dhe Djuriç. Të katër lojtarët janë drejt rikuperimit të plotë, ndërsa pritet që ata të jenë të gatshëm për Flamurtarin.
Me vëmendje do të shihet dhe gjendja e Fazlliut, që nuk luajti ndaj Laçit. Ndërkohë, Donjet Shkodrani është dukur mjaft i acaruar në momentin që është zëvendësuar në përballjen me kurbinasit. Është dukur sikur e ka pasur me trajnerët, por që në fakt, teksa e ka sqaruar vetë këtë situatë, ka qenë i mërzitur për mënyrën e pësimit të golit.
Ishte goli që vulosi barazimin 1-1 me Laçin, ndërsa mesfushori është parë të shfryjë nervat dhe ndaj Galiç për atë humbje topi. Mesfushori kosovar ka kërkuar falje në stërvitjen e djeshme për atë veprim, ndërsa vijon të jetë i mërzitur me barazimin në ndeshjen e fundit.