AlbanianSport.com 24.10.2016 08:50
ASNN – Rikthimi i Gugash Maganit në krye të stolit të Flamurtarit duket se është në vëmendjen kryesore të vlonjatëve, ndërsa një pikë e marrë në vizitën e Laçit ka shërbyer më tepër për pozicionin në renditje të kuqezinjve. Trajneri peqinas ka munguar në përballjen e vlonjatëve ndaj Laçit, ndërsa Flamurtari është drejtuar nga Gentian Mezani dhe ndihmësi i Maganit, Klodian Dervishi.
Një ditë para ndeshjes me kurbinasit, Magani kishte konfirmuar se do të rikthehej në krye të vlonjatëve, por vetëm pasi të kryente një bisedë me administratorin Idrizi. Bisedë që në fakt nuk është kryer, sepse Idrizi është në Turqi dhe gjithçka do të bëhet pas kthimit të tij. Për momentin Magani është në pritje të kthimit të Idrizit dhe sa i përket vazhdimit të Flamurtarit nga ana e tij pritet të vendoset në ditët në vazhdim.
E ndërsa peqinasi është në pritje të takimit, Idrizi prej ditësh e ka konfirmuar se Magani do të vazhdojë të jetë trajneri i Flamurtarit. E për këtë, gjithnjë sipas tij, nuk ka asnjë diskutim. “Gugash Magani është trajner i Flamurtarit dhe shumë shpejt do të kthehet nën drejtimin e skuadrës, – pati thënë Idrizi. – Madje dhe këto ditë ai ka qenë pranë skuadrës me udhëzimet e tij.
“Dhe këto janë diskutime të kota, sepse Magani do të vazhdojë të jetë trajneri i skuadrës”, pati shtuar ai. Në fakt, lojtarët e Flamurtarit nuk kanë munguar të udhëzohen gjatë ndeshjes në Laç edhe nga trajneri Magani. Mësohet se gjatë gjithë takimit, pavarësisht se ndodhej larg, trajneri peqinas nuk ka munguar të përcjellë udhëzime të shumta për lojtarët e tij nëpërmjet telefonit.
Trajneri duket se nuk mund të qëndronte larg këtij takimi ku, në çdo moment, ka përcjellë udhëzimet e tij për ndeshjen në Laç. Natyrisht që veç dyshes Mezani-Dervishi në Laç është ndjerë edhe dora e Maganit. Ishte një takim që të gjithë e shihnin si të humbur për Flamurtarin, por që në fakt ka rezultuar ndryshe dhe për shkak të udhëzimeve të Maganit.