AlbanianSport.com 23.10.2016 17:05
ASNN – Kal Kraçlou është fitues i garës për Çmimin e Madh të Australisë, të vlefshme për Botërorin e Motorëve 2017. Kampioni në fuqi i botës, Markez, rrëzohet në xhiron e 11-të, duke i dhënë mundësinë kështu Valentino Rosit të ngjitet në podium. Piloti italian i “Jamaha”-s renditet i dyti dhe, pas tij, në vend të tretë është Vinjales. Kjo garë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar.
Fiton Kraçlou, rrëzohet Markez, Valentino Rosi bën “shou” në garën për Çmimin e Madh të Australisë, të pasur me episode të bukura që nga xhirot e para e deri në fund. Kampioni në fuqi i botës, Mark Markez, dominues që në nisje, rrëzohet në xhiron e 11-të dhe detyrohet t’i thotë lamtumirë garës, e dëshirës për t’u ngjitur edhe në podiumin e Australisë.
Ndërkohë që për Valentino Rosin gara është spektakolare. Piloti italian i ka dhënë një mësim të mirë skuadrës japoneze si në provat zyrtare, ashtu edhe gjatë garës, duke bërë xhiro të shpejta njëra-pas tjetrës. Fillimisht Rosi kalon Lorencon, shokun e skuadrës dhe pozicionohet në vendin e dytë. Por nuk ka mundur të kalojë Kraçloun, pasi gomat e motorit të tij “Jamaha”, ishin konsumuar shumë.
Pas këtij vendi të dytë, për Valentino Rosin, objektivi është vendi i dytë në renditjen për pilotë. Pra i duhe të kalojë Lorencon, kur diferenca e pikëve midis tyre është 24, kur kanë mbetur edhe dy gara për t’u zhvilluar, në Malajzi dhe në Valencia. Kështu, podiumi i nderit në garën e Australisë është për Kal Kraçloun, Valentino Rosin dhe Maverik Vinjalesin.