AlbanianSport.com 23.10.2016 07:55
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si grupi A2, ka luajtur dje ndeshjet e javës së tij të 4-t dhe Barleti Volej dhe Teuta janë shkëputur edhe më tepër në krye të renditjes, duke ruajtur bilancin prej 100 % të fitoreve.
Barleti Volej, kryesues i renditjes, ka bërë dje thjesht një shëtitje deri në Korçë dhe më pas është kthyer në Tiranë me 3 pikë më shumë se të merituara dhe të lehta përballë Skënderbeut. Një ndeshje që s’ka dhuruar shumë emocione, pasi ka pasur protagoniste vetëm miket në parket, ndërkohë që gjithçka është mbyllur brenda 60 minutave.
Nga ana tjetër, Teuta është kundërpërgjigjur me një fitore 3-0 në Durrës ndaj Elbasanit dhe është ngjitur në kuotën e 11 pikëve, një më pak se Barleti Volej kryesues. Pas dyshes kryesuese vijojnë një treshe skuadrash me nga 7 pikë, Partizani, Vllaznia dhe Tirana.
Vllaznia, e cila e ka nisur mirë kampionatin e sivjetëm, ka regjistruar dje fitoren e 3-të në katër javë. Madje është një fitore surprizë, sepse ka mundur Partizanin, që është pretendent për titull. Ndeshja e djeshme ka qenë një zig-zag, me skuadrat që i fitonin setet njëra-tjetrës, por janë shkodranet që triumfojnë në atë final dhe fitojnë 3-2.
Ndërsa Tiranës i kanë dalë “djersë të ftohta” për të triumfuar ndaj Lushnjës në “Fahrie Hoti”. Verdhejeshilet kanë fituar setin e parë dhe në të tjerat, pavarësisht fitores së skuadrës së Adrian Gorenxës, kanë bërë rezistencë. Madje në setin e katërt kanë pasur një debat me kryesorin Mujo për një top jashtë.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 4-t:
(22 tetor 2016)
Vllaznia – Partizani 3-2
Tirana – Lushnja 3-1
Skënderbeu – Barleti Volej 0-3
Teuta – Elbasani 3-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 4 4 0 12-0 12
- Teuta 4 4 0 12-2 11
- Vllaznia 4 3 1 9-8 7
- Partizani 4 2 2 8-7 7
- Tirana 4 2 2 8-7 7
- Skënderbeu 4 1 3 5-10 4
- Lushnja 4 0 4 3-12 0
- Elbasani 4 0 4 1-12 0