AlbanianSport.com 22.10.2016 12:05
ASNN – Familjarë, miq, dashamirës dhe bashkëkohës kanë përcjellë sot për në banesën e fundit ish-futbollistin e njohur të viteve 1968-1983, Safet Berishën. Ish- kapiteni i Partizanit dhe i lojtari i Kombëtares kuqezi, vuante së fundi nga një sëmundje e rëndë dhe ndërroi jetë para 3 ditës në Itali, në qytetin e Arecos, në moshën 67-vjeçare.
Safet Berisha u lind në Durrës, më 11 nëntor 1949, dhe ka qenë një prej qendërmbrojtësve “emblemë” të Partizanit dhe ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Me fanelën e Partizanit, Berisha fitoi 3 tituj “kampion”, 4 Kupa Republike, si dhe ishte fitues i Kupës Ballkanike në vitin 1970. Berisha ka veshur edhe 21 herë fanellën e ekipit kombëtar kuqezi.
Në vitin1978, Safet Berisha është vlerësuar edhe me Titullin“Mjeshtër i Merituar i Sportit”, si dhe në 70-të Vjetorin e Themelimit të Klubit të Partizanit u dekorua me “Medaljen e Meritës” për kontributin e tij në futboll. Homazhet për Safet Berishën u zhvilluan në mjediset e ish-Kompleksit Sportiv “Dinamo” në kryeqytet, ndërsa më pas është kryer edhe ceremonia mortore.