Gjergj Vyshka 21.10.2016 13:25
Menjëherë pas ndeshjes me MKK Feni Industriers, maqedonasi i stolit të Tiranës në basketboll për meshkuj, Sllobodan Petrovski, do të deklaronte: “Më duhet t’i uroj suksese MKK Feni Industriers për suksesin. Ne nuk e kemi filluar lojën si duhej dhe siç e kishim planifikuar. Gjithsesi, ky është sezoni ynë i parë në Ligën Ballkanike.”
“Kemi ende për të punuar dhe për të përmirësuar, – ka vijuar maqedonasi i stolit të bardhebluve kryeqytetas. – E gjithë kjo pjesëmarrje në Ligën Ballkanike është diçka e re si për të gjithë ne, ashtu dhe për lojtarët e për klubin. Por ne do të japim më të mirën tonë sepse duhet të tregojmë vlerat tona më të mira deri në fund të këtij sezoni në Ligën Ballkanike”.
Në këtë mënyrë bardheblutë e kanë pranuar humbjen me idenë se ndaj Kamza Basket sot dhe ndaj Sutjeskës së Nikshiqit të hënën do të jenë krejtësisht ndryshe. Jo katastrofë si të mërkurën në mbrëmje në Kavadarci në atë humbje të thellë me 41 pikë diferencë.