Gjergj Vyshka 20.10.2016 07:55
Shtohet ankthi dhe lufta në prag të zgjedhjeve të reja të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Një javë më parë, Muharrem Berisha ka shpallur botërisht nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, se do të kandidojë për president të organizmit që qeveris shtangën shqiptar.
Kurse dje, statusi i dytë ishte dhe më i fortë, sepse është një kandidat për president që e duan sportistët. Ja se çfarë ka shkruar Muharrem Berisha në faqen e tij: “Jam presidenti i ardhshëm i zgjedhur nga sportistët. Shpresoj të zgjidhem dhe me votën e klubeve. Demokracia është brenda nesh.”
“Suksese atij që e meriton ku bëj pjesë dhe unë, – ka shkruar dje ish-peshëngritësi i mirënjohur në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. – Gjithmonë kam qenë “kampion” me pastërti. Besoj se peshëngritja do të bëjë zgjedhjen e duhur. Unë jam kampion se jetoj me shqetësimin e kampionëve.”
Parë kështu, Muharrem Berisha duket se është një kandidat që ka pëlqimin e të gjithë atyre që derdhin djersën dhe marrin medaljet ndërkombëtare që kënaqin dhe politikanët. E tashmë gjithçka mbetet brenda asaj që do të jetë në kutinë e votimit, ndonëse ende nuk ka një datë të saktë për zgjedhjet e reja të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.