Gjergj Vyshka 19.10.2016 16:10
Goga Basket, skuadra që drejtohet nga Henri Moja dhe që kampionatin e ka nisur me fitoren e thellë, 108-52 ndaj Apolonisë, nuk është ndalur në merkato. Pas boshnjakes Omarbashiç dhe lojtareve vendëse si Duqi, motrat Eli e Sofika Papa, Ornela Lalaj dhe Klaudia Hoxha, tashmë ka mbërritur dhe një lojtare amerikane.
Bëhet fjalë për Deshoun Harden, që ka ardhur nga Luiziana, ndërsa ka qenë pjesë e skuadrës së kolegjit universitar atje. E me të gjitha këto përforcime, ndërsa pritet që amerikanja të jetë në parket në ndeshjen e dytë në kampionat me Vllazninë, Goga Basket dhe trajneri Henri Moja janë më shumë se sa të kënaqur.
Sepse kështu janë pretendent serioz për të qenë “kampionë” të Shqipërisë në basketbollin e femrave. Por, pse jo, dhe fitues të Kupës së Shqipërisë. Me dy lojtare të huaja, Goga Basket është skuadra më e përforcuar e basketbollit të femrave në vend për sezonin 2016-2017.