AlbanianSport.com 19.10.2016 11:35
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zbritur 7 pozicione në renditjen e FIFA-s, për muajin tetor. Humbja me Spanjën i ka kushtuar mjaft kuqezinjve, ndërsa fitorja me Lihtenshtejnin ka patur një koefiçient tepër të ulët. Me 678 pikë Shqipëria ndodhet në vendin e 47-të. Ndërsa është ngjitur 4 shkallë në renditje Kosova. Kështu, rezultatet e dy ndeshjeve të fundit që luajti Shqipëria në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, i kanë kushtuar 7 pozicione në renditjen e FIFA-s.
Kombëtarja shqiptare ndodhet në vendin e 47-të në renditjen e muajit tetor, të publikuar të enjten nga FIFA në faqen zyrtare të saj. Kombëtarja shqiptare ka zbritur 7 shkallë për këtë muaj dhe ka aktualisht 678 pikë. Humbja 0-2 me Spanjën ka ndikuar mjaft në humbjen e këtyre pozicioneve nga skuadra jonë përfaqësuese, ndërsa nuk ka mjaftuar fitorja 2-0 ndaj Lihtenshtejnit për të ruajtur pozicionin e mëparshëm, pasi koefiçienti I saj ka qenë tepër i ulët.
Nga kundërshtarët e kuqezinjve në grupin G të Eliminatoreve, Spanja, është ngjitur në vendin e 10-të, ndërsa Italia mbetet në të 13-tin. Izraeli, kundërshtari i radhës për kuqezinjtë, i cili, në dy ndeshjet e mëparshme fitoi ndaj Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit ngjitet 19 shkallë duke u renditur në vendin e 79-të. Maqedonia humbet 9 vende, duke u klasifikuar e 155-ta, ndërsa Lihtenshtejni renditet në vendin e 183-të. Kosova, përfaqësuesja më e re e pranuar nga FIFA, ka ngjitur 4 pozicione.
Me 135 pikë ajo ndodhet në vendin e 164. Edhe pse është mundur 0-6 nga Kroacia dhe 0-3 nga Ukraina. Ndërkohë që Argjentina vazhdon të kryesojë renditjen e FIFA-s edhe për muajin tetor 2016 me 1,621 pikë, e ndjekur nga Gjermania dhe Brazili, të cilat kanë ngjitur nga një pozicion.