AlbanianSport.com 19.10.2016 08:50
ASNN – Mançester Sitit do t’i duhet kohë për të arritur standardet e Barcelonës. Kështu ka deklaruar trajneri i ekipit anglez, Pep Guardiola, teksa përgatitet të përballet me ish-skuadrën e tij, Barcelonën, me të cilën shkroi një kapitull të artë të futbollit modern. Këto deklarata, Guardiola i bërë në prag të takimit midis dy skuadrave, që do të luhet sonte në “Kamp Nou”.
Deri dje vinte për ta udhëhequr drejt fitores, ndërsa sot synon ta mundë. Kjo është metamorfoza e Pep Guardiolës, trajnerit që me Barcelonën shkroi një kapitull të artë të futbollit modern. Por sonte ai rikthehet në “Kamp Nou” si kundërshtar, ndonëse nuk i fsheh ndjenjat. “Është gjithmonë e veçantë të jem këtu, sepse kam kaluar shumë kohë këtu dhe ky stadium është pjesë e jetës sime”, – ka thënë ish-trajneri i Barcelonës.
“Këtu jam rritur si djalosh, këtu bëra karrierën time si lojtar e më pas, si trajner, – ka vijuar ai. – Prandaj është dhe do të jetë gjithmonë e veçantë të jem këtu e të takoj njerëzit që më pëlqen t’i shoh.” Sipas tij, Mançester Sitit do t’i duhet kohë për të arritur standardet e Barcelonës. “Mançester Siti ka munguar për plot 35 vjet në veprimtaritë evropiane dhe kjo është një kohë e gjatë”, – ka thënë Guardiola.
“Një skuadër bëhet e rëndësishme në Evropë kur shkon shpesh në veprimtaritë kontinentale, – ka vijuar katalani. – Dhe ky është synimi për Mançester Sitin në 5, 6 apo 7 vitet e ardhshme, që të konkurrojë çdo vit në Evropë.” Guardiola i zbehu shpresat e tifozëve të klubit anglez, duke mohuar se ishte munduar gjatë verës ta joshte Mesin ta linte Barcelonën për Mançester Sitin, duke thënë se ishte argjentinasi ai që do të vendoste nëse dhe kur do të largohej nga gjigandja katalane.