AlbanianSport.com 17.10.2016 16:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve po përgatitet për të luajtur ndeshjet eliminatore të vlefshme për Kampionatin Evropian. Nën drejtimin e trajnerit Xhemal Mustedanagiç, kuqezinjtë kanë filluar stërvitjen dhe pas 10 ditësh kanë ndeshjen e parë. Në grup me skuadrën e Shqipërisë, janë Italia, Serbia dhe Maqedonia.
Kështu, Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve ka nisur grumbullimin për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian për këtë moshë. Prej 10 ditësh kuqezinjtë 17-vjeçarë do të stërviten nën drejtimin e trajnerit Xhemal Mustedanagiç. Në grup, Shqipëria do të ketë Italinë, Serbinë dhe Maqedoninë.
Trajneri boshnjak nuk e fsheh epërsinë që kanë kundërshtarët përsa I përket krijimit të përfaqësueseve të tyre. “Kemi kundërshtarë të fortë në grup, – tha Mustedanagiç, duke folur në konferencën e sotme për shtyp, të mbajtur në mjediset e FSHF-së. – Si Italia, Serbia dhe Maqedonia, kanë lojtarë, të cilët luajnë bashkë që nga mosha 15 vjeç.”
“Pra e njohin njëri-tjetrin, – ka vijuar ai. – Ndërsa ne jemi një kombëtare e re, pavarësisht se kemi thirrur në grumbullim lojtarët më të mirë të moshës deri në 17 vjeç. U kam mësuar futbollistëve të mi, që të mos kenë frikë nga kundërshtari, por ta respektojnë atë.”
“Më vjen mirë që ata kanë një respekt të admirueshëm për fanellën kuqezi që do të veshin, ndaj e them me bindje se do të zhvillojnë ndeshje të mira”, – ka përfunduar trajneri i Nën-17-vjeçarëve kuqezi. Ndeshjet e grupit tonë do të luhen në Itali, në datat 26, 28 dhe 31 tetor 2016.
Takimin e parë Shqipëria do ta luajë me mikpritësit e ndeshjeve të grupit, pra me Italinë, të dytën kundër Serbisë dhe të tretën kundër Maqedonisë.