AlbanianSport.com 17.10.2016 14:20
Naftëtari dje zyrtarisht është shpallur “kampion” i Shqipërisë në shah në përfundim të Kampionatit Kombëtar Ekipor, që është zhvilluar për një javë në mjediset e ish-kompleksit “Dinamo”. Në turin e fundit, kuçovarët kanë fituar me Valbonën, 3-1, ndërsa e kanë përfunduar garën me 9 fitore në 9 ndeshje dhe me 18 pikë.
Në vendin e dytë është renditur Butrinti që ka grumbulluar 15 pikë, kurse në vendin e tretë Partizani me 13 pikë. Sipas tavolinave në 3 vendet e para janë renditur 3 shahistët e Naftëtarit, Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar, Milan Drashko, Mjeshtri Ndërkombëtar Franc Ashiku dhe Mjeshtri Ndërkombëtar Ilir Seitaj.
Në tavolinën e 4-t është fituese Eglantina Shabanaj e Partizanit. E tashmë është radha e kampionatit të disiplinës së “Rapid”-it për të mbyllur sezonin e shahut, që më pas do t’ia lërë radhën zgjedhjeve në Federatë, ashtu sikurse dhe në institucionet e tjera sportive.