AlbanianSport.com 17.10.2016 08:50
ASNN – Takimi i darkës midis Liverpuli dhe Mançester Junajtid, do të ketë edhe një vlerë tjetër përveçse asaj sportive. Një pjesë e të ardhurave prej tij do të shkojnë në dobi të fushatës për luftimin e verbimit të parandalueshëm. Ambasador i kësaj fushate është vetë trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop.
Në fakt, duket si një trill i një trajneri ekstravagant, që kërkon të tregojë se futbollin e njeh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, me sy mbyllur. Në të vërtetë, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, po shënon për një kauzë të madhe. Gjermani është përzgjedhur si ambasador i fushatës për të luftuar verbimin e parandalueshëm.
Rreth 285 milionë njerëz anembanë botës janë të verbër apo pjesërisht të verbuar. Por, rreth 80 % e këtyre rasteve mund të parandalohen apo kurohen. Për këtë qëllim, një pjesë e të ardhurave nga ndeshja e sotme e Premier Ligës Angleze, midis Liverpulit dhe Mançester Junajtid, do të shkojë në dobi të kësaj fushate.