AlbanianSport.com 16.10.2016 20:20
ASNN – Tirana ka bërë të dielën në mbrëmje atë që nuk kishte arritur ta bënte asnjë skuadër e Superiores në 6 javët e deritanishme, duke e ndalur kampionen në fuqi, Skënderbeun, falë një triumfi 2-1 të arritur në takimin e vlefshëm për javën e 7-të. Emocionet e kësaj sfide që i përligji pritshmëritë, u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ka qenë një atmosferë dasme në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Tirana e ka kthyer në një festë sfidën me Skënderbeun kryesues, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, me një fitore 2-1 që i jep fund vazhdës prej 100 % fitoresh të kampionëve në fuqi në këto 6 javë të para.
Në fakt, sfida e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për bardheblutë, pasi kongolezi Mervij Ndokit ka goditur bukur në kufinjtë e zonës, duke e mposhtur Shehin dhe duke kaluar Tiranën në epërsi në minutën e 15-të.
Madje 7 minuta më pas, një tjetër afrikan i bardhebluve, Siseja humbet një rast të pastër, kur i vetëm përballë Shehit, godet pabesueshmërisht jashtë. Me epërsinë njëgolëshe të kryeqytetasve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të nisë praktikisht me gol.
Moise Justalain Nkunkuja do të mposhtë për herë të dytë Shehin dhe Tirana është në delir. Pjesa e mbetur e lojës do të flasë për Skënderbeun dhe fillimisht është Adejini që pason për Serzhinjon në minutën e 59-të, por ky i fundit, i gjendur brenda zonës, godet mbi shtyllën horizontale.
Tre minuta më pas, Adejini tenton një rroveshjatë, por pa rezultat. Në minutën e 72-të, është Salihi që godet me kokë brenda zone, por jashtë. Skënderbeu e gjen golin në minutat e fundit, me atë të Latifit, por ky gol erdhi shumë vonë dhe Tirana fiton 2-1, duke ruajtur hapin me Kukësin e vendit të dytë, që fitoi 2-0 ndaj Korabit, dhe tanimë të dyja rivalet kanë nga 13 pikë, 5 më pak se Skënderbeu kryesues.