AlbanianSport.com 16.10.2016 19:35
ASNN – Apolonia e ka festuar rikthimin e saj në basketbollin shqiptar me fitore ndaj Skënderbeut, sukses të cilin fierakët ia kanë dedikuar lojtarit të tyre Reni Prifti. Në fakt ka qenë një ndeshje emocionuese ajo e luajtur dje pasdite në Vlorë mes Apolonisë dhe Skënderbeut, e vlefshme për Kategorinë e Parë.
Sapo ndeshja ka nisur, lojtarët e Apolonisë kanë brohoritur së bashku se do të luhej për shokun e tyre, Reni Priftin, basketbollist i cili paraditen e të shtunës ka kaluar një ngjarje të rëndë, ndërsa i është ndarë nga jeta një nga njerëzit më të shtrenjtë të familjes, e ëma.
Megjithatë lojtari nuk ka munguar në ndeshje duke u bërë pjesë e skuadrës, pavarësisht hidhërimit në shtëpinë e tij. Pas përfundimit të takimit e gjithë skuadra është nisur së bashku me Priftin drejt Fierit për të qëndruar pranë bashkëlojtarit të tyre në këtë hidhërim të madh për të.