ASNN – Sportdashësit shkodranë kanë provuar emocione të pafund dje në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Dhe këtë kënaqësi ia ka dhënë sfida e shumëluftuar në basketboll për femra mes Vllaznisë vendase dhe Tiranes mysafire. Duke qenë se një ditë më parë në kryeqytet meshkujt bardheblutë kishin sfiduar Vllazninë “kampione” të Bledar Gjeçajt, ndeshja në fjalë konsiderohej si mundësia më e mirë për t’i marrë revanshin kryeqytetasve.
Dhe, në një farë mënyre, kjo nisi të gatuhej në mënyrën më të mirë kur vajzat shkodrane, të drejtuara nga dyshja e trajnerëve Rajmond Rasha dhe Afërdita Rakaj, e filluan mjaft vrullshëm ndeshjen. Luftë e fortë sportive, rivalitet dhe emocione në periodën e parë, e cila në mbyllje fikson epërsinë me një pikë diferencë, 19-18, në favor të vendaseve. Të mbështetura edhe nga tifozeria e zjarrtë shkodrane, basketbollistet kuqeblu vijojnë ta kenë ndeshjen nën kontroll edhe në 10 minutat e pjesës së dytë.
Të cilën e fitojnë edhe atë 15-12, duke shkuar në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy gjysmave me epërsinë 34-30, pra me 4 pikë diferencë. Por këtu duket se nis edhe kthesa për mikeshat nga kryeqyteti, atje ku udhëzimet e një trajneri me përvojë si Roland Avrami bëjnë efektin e duhur, gjë që reflektohet në një përmirësim të lojës së tyre. Përfundimi është fitorja e pjesës së tretë me 1 pikë diferencë 10-11 dhe në total 44-41 për Vllazninë.
Pjesa e katërt dhe e fundit është tërësisht e përfshirë në një dramacitet të vërtetë. Sidoqoftë, edhe pse rivalizojnë dukshëm, tiranaset nuk arrijnë në asnjë çast të marrin kryesimin e rezultatit të cilin Vllaznia e ka në udhëheqje deri në 2-3 minutat e fundit. Pikërisht kur basketbollistet kuqeblu udhëhiqnin me 5 pikë diferencë, më tepër se sa një dobësi e tyre, është merita e mikeshave që me një 3-pikësh nga distanca, shoqëruar më pas, edhe me një kosh tjetër, barazojnë shifrat.
Barazim që sjellë tensionin në kampin kuqeblu, moment që mysafiret e shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë me shënimin edhe të pikës së fitores në sekondat e fundit të gjithë ndeshjes. Tirana e Avramit largohet me një fitore shumë të rëndësishme nga Shkodra, ndërkohë që trajnerët shkodranë Rasha-Rakaj e nisin me humbje kampionatin duke nxjerrë në dritë edhe një dobësi të dukshme të skuadrës. Sepse kanë luajtur vetëm me pesë vajzat e formacionit dhe asgjë më shumë.
I. Dashja, Mustafa, Basha, A. Dashja, Berranija janp 5 vajzat që u ka rënë barra më e rëndë e lojës dhe më pas Tirana s’e ka pasur të zorshme për të fituar.
Vllaznia – Tirana 58-59
(19-18, 15-12, 10-11, 14-18)
Vllaznia: I. Dashja, Mustafa, Basha, A. Dashja, Berranija / Kraja, Çoçja, Mlika, Juka Trajner: R. Rasha
Tirana: Përmeti, K. Malësia, Këlliqi, Hoxha, Gjeni / E. Bujari, G. Bujari, E. Malësia, Jashenica, Aliaj, Jaçe, Ahmetaj. Trajner R. Avrami
Gjyqtarë: E. Koçi (Tiranë), M. Kasëmi (Vlorë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Java e parë:
(14-15 tetor 2016)
Të premten:
Elbasani – Flamurtari 53-69
Kamza Basket – Studenti 49-78
Të shtunën:
Goga Basket – Apolonia 108-52
Vllaznia – Tirana 58-59
Skënderbeu pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Goga Basket 1 1 0 108-52 2
- Studenti 1 1 0 78-49 2
- Flamurtari 1 1 0 69-53 2
- Tirana 1 1 0 59-58 2
- Vllaznia 1 0 1 58-59 1
- Elbasani 1 0 1 53-69 1
- Kamza Basket 1 0 1 49-78 1
- Apolonia 1 0 1 52-108 1
- Skënderbeu 0 0 0 0-0 0