AlbanianSport.com 13.10.2016 11:10
ASNN – Në një kohë që gjithë futbollistët e Kombëtares i shpërndanë nëpër klubet përkatës, mesfushori Ermir Lenjani është detyruar të qëndrojë disa ditë të paplanifikuara në Tiranë. Në sfidën kundër Spanjës Lenjani ishte një humbës i dyfishtë, sepse përveç disfatës sportive, pësoi edhe një dëmtim të rëndë, pas një përplasjeje me mesfushorin spanjoll Tiago Alkantara.
Ndonëse një përplasje normale loje, pa ndonjë tendencë për të bërë keq nga spanjolli, Lenjani ka qenë i pafat, sepse ka prerë keq veshin, aq sa është urdhëruar nga mjekët të braktiste fushën e vet, pavarësisht nga këmbëngulja e futbollistit kuqezi se mund të vazhdonte të luante. Më vonë edhe Lenjani e ka kuptuar seriozitetin e dëmtimit, sepse është transportuar me urgjencë për në spital.
Ndërsa më vonë është transferuar në Tiranë. Aty është operuar dhe i është thënë se nuk duhet të lëvizë deri të enjten. Ndërkohë, mesfushori spanjoll, protagonist i përplasjes së pafat me shqiptarin, ka pasur një shkëmbim mesazhesh me Lenjanin. Tiago i ka kërkuar falje dhe i ka ofruar ndihmën e tij, për gjithçka Lenjani mund të ketë nevojë në këtë moment.
Megjithatë, futbollisti kuqezi është përgjigjur se ndjesa nuk ka qenë e nevojshme, pasi ishte moment loje, që mund t’i ndodhte kujtdo.