AlbanianSport.com 12.10.2016 18:55
ASNN – Skënderbeu ka patur nevojë për disa sekonda shtesë përtej 4 minutave shtesë të dhënë të mërkurën në ndeshjen me Teutën, për të gjetur fitoren e 6-të në po aq ndeshje dhe për të thelluar kryesimin në renditjen e Kategorisë Superiore. Ndeshja e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ishte e vlefshme për javën e 6-të.
Pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, është rikthyer Kampionati Kombëtar i Futbollit me ndeshjet e javës së 6-të të Kategorisë Superiore. Të mërkurën janë luajtur 4 prej këtyre takimeve, ndërsa ndeshja e fundit, ajo midis Laçit dhe Partizanit, luhet të enjten pasdreke. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin më të spikatur të së mërkurës, atë midis Skënderbeut dhe Teutës, që është fituar nga korçarët me një gol të vetëm.
Në fakt, takimi i zhvilluar në Stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, ka parë një Teutë luftarake që po tregonte se nuk e meritonte fundin e renditjes ku gjendet aktualisht. Pjesa e parë e kësaj sfide është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndonëse Skënderbeu ka goditur edhe shtyllën e portës durrsake. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në pjesën e dytë dhe gradualisht korçarët kanë nisur të ushtrojnë më tepër presion mbi kundërshtarin, duke krijuar dhe shkuar dëm raste për shënim.
Vetëm në sekondat e para të minutës së 5-të shtesë, teksa ishin dhënë 4 të tilla, Skënderbeu ka gjetur golin e fitores që e shkëput edhe më tepër në krye të renditjes. Korçarët tanimë kanë 18 pikë, 8 më tepër sesa Kukësi i vendit të dytë, që u ndal në një barazim 1-1 në Vlorë përballë Flamurtarit, dhe Tirana e vendit të 3-të, që fitoi në fund në sfidën e luajtur në kryeqytet përballë Korabit. Takimi i luajtur pasdreke midis Luftëtarit dhe Vllaznisë, është mbyllur në barazim 1-1.