Gjergj Vyshka 12.10.2016 11:20
Muharrem Berisha duket se do të jetë një kandidat për president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Të paktën kështu ka lajmëruar në një status të vendosur në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Pas interesimit të gazetës “Sport Ekspres”, Berisha ka konfirmuar vërtetësinë e statusit të tij, ndërsa i mjafton që ta propozojë vetëm një klub për të qenë në garën për president të peshëngritjes shqiptare përballë aktualit Elez Gjoza.
Priten zgjedhje të ethshme në peshëngritjen shqiptare, ndërsa në garë mund të përfshihet dhe presidenti i Masgllasit, Theodhor Masllavica. Por kur ende nuk ka një datë zyrtare për zgjedhjet e reja në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha e ka shpallur kërkesën dhe dëshirën e tij për të qenë president.
Nuk duhet harruar se duke qenë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në rastin e skandalit të dopingut që përfshiu kombëtaren shqiptare pas Botërorit të Kazakistanit më 2014-ën, Berisha pati dhënë dorëheqjen.