AlbanianSport.com 12.10.2016 10:15
ASNN – Kategoria Superiore luan sot ndeshjet e javës së 6-të. Spikasin duele të tilla si Flamurtari-Kukësi e Skënderbeu-Teuta. Korçarët kërkojnë 3 pikët për të thelluar diferencën me ndjekësit, ndërsa më të vështirë e ka misionin e fitores, Kukësi në Vlorë. Edhe në “Selman Stërmasi” pritet një ndeshje e vështirë midis Korabit e Tiranës.
Rikthehet Kampionati Kombëtar i Futbollit pas një pushimi të detyruar nga ndeshjet e kombëtares, me Lihtenshtejnin dhe Spanjën, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Java e 6-të e Kategorisë Superiore nis me ndeshjen Luftëtari-Vllaznia në orën 14:00, e cila do të luhet në Fushën Sportive të Peqinit.
Më pas, duke nisur nga ora 17:00, luhen Korabi-Tirana, Flamurtari-Kukësi dhe Skënderbeu-Teuta. Kjo e fundit do të sillet për teleshikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Korçarët kërkojnë tri pikët për të thelluar diferencën me ndjekësit e vendit të dytë.
Por përballë do të kenë Teutën, që do të drejtohet tanimë nga trajneri italian Roberto Cevoli. Ndërkohë që, presidenti i skuadrës durrsake, Edmond Hasanbelliu, ka kërkuar nga futbollistët e tij fitoren. Një tjetër sfidë e rëndësishme luhet në Vlorë, ku Flamurtari, që është në krizë rezultatesh, pret Kukësin e vendit të dytë.
Por trajneri Magani nuk do të ketë në dispozicion për këtë sfidë edhe Lukiçin dhe Rinçin, për shkak të dëmtimeve. Gjithashtu edhe Alvesh nuk ka arritur formën e duhur ndaj nuk dihet do të luajë apo jo në formacion. Në “Selman Stërmasi”, Korabi pret Tiranën.
Të dyja skuadrat do të luajnë në një fushë e cila nuk duhet të jetë në kushte optimale, pasi një ditë më parë është luajtur ndeshja e kombëtareve të Nën-19-vjeçarëve, ndërsa ka 3 ditë që nuk pushojnë reshjet e shiut, të cilat duhet ta kenë rënduar më shumë gjendjen e tapetit të blertë.
Java e 6-të e Kategorisë Superiore mbyllet me ndeshjen Partizani-Laçi, e cila luhet të enjten, duke nisur nga ora 14:00.